Shtyp

Italia ne zgjedhje

Vëmendja e Europës do të përqendrohet të Dielën 24 dhe të Hënën 25 Shkurt tek zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të Italisë. Interesimi është i madh dhe i përligjur. Rreth 40 milionë italianët që pritet të marrin pjesë në zgjedhje do të përcaktojnë ndër të tjera se kush do të marrë në duar timonin e ekonomisë së tretë të eurozonës, që përballet prej vitesh me rritje mjaft të ulët ekonomike dhe së fundmi ka hyrë në reçesion.

Nga Benko Gjata

Ndryshe nga dy muaj më parë, kur fati i zgjedhjeve dukej "i vulosur" në favor të koalicionit të qendrës së majtë, sot gara është e hapur, rezultati përfundimtar vështirësisht i dëshifrueshëm dhe rreziku i mospasjes së një shumice qeverisëse mëse real.

Favoritë kryesorë për fitoren vijojnë të mbeten të majtët e Partisë Demokratike dhe aleatët e tyre, të udhëhequr në koalicion nga Pierluigi Bersani. Demokratët pritet të fitojnë garën elektorale në rang kombëtar, duke përfituar kështu edhe bonusin e mandateve parlamentare, të parashikuar nga ligji zgjedhor në dhomën e ulët të parlamentit italian për të garantuar një qeverisje të qëndrueshme.

Por gara elektorale e Italisë po luhet prej kohësh kryesisht në senat, dhoma e lartë e parlamentit, ku rregullat e lojës janë më komplekse dhe shpërndarja e mandateve bëhet mbi baza rajonale. Këtu e majta dhe e djathta jepen në barazim në shumë rajone kyçe të Italisë, përfshi edhe Lombardinë, që jep numrin më të lartë të mandateve.

Fitorja e koalicionit të majtë është vënë në pikëpyetje nga rikthimi në qendër të arenës politike i Silvio Berluskonit, disa herë kryeministër i Italisë dhe lider historik i Popullit të Lirisë, partisë kryesore të qendrës së djathtë italiane. Përmes një fushatë elektorale agresive, të bazuar në disa mesazhe të forta, të komunikuara me aftësi përmes mediave kryesore televizive të vendit, Berluskoni arriti në pak javë të ndalte rënien në pikiatë të konsensusit të partisë së tij dhe ta rikthente trendin në favor të së djathtës. Rikthimi i taksës mbi banesat, e vjelë nga qeveria Monti gjatë 2012-ës për të paguar borxhet, krijimi i miliona vendeve të reja të punës, falja e gjobave ndaj sipërmarrësve të vegjël dhe të mesëm, janë vetëm disa prej premtimeve që udhëheqësi karizmatik i së djathtës i ka bërë elektoratit të tij tradicional, duke marrë prej tij përgjigjje përgjithësisht pozitive.

Përmes aleancës me Lega Nord-in, parti me rrënjë të forta në veri, Berluskoni synon fitoren në mos në rang kombëtar, të paktën në rajonet e veriut, çka do t'i jepte atij një pakicë bllokuese në senat.

Pikëpyetja tjetër e këtyre zgjedhjeve quhet Mario Monti. Profesori i Universitetit Bokoni, me një përvojë të gjatë e të suksesshme në krye të institucioneve të rëndësishme të BE-së, u thirr nga Presidenti Napolitano në Nëntor të 2011-ës për të marrë në duar drejtimin e qeverisë, pas dorëheqjes së Berluskonit. I mbështetur në parlament nga një koalicion i gjerë forcash politike, Monti arriti të realizojë disa reforma me rëndësi, si ajo e pensioneve dhe e tregut të punës, por mbi të gjitha mundi t'i rikthejë Italisë besueshmërinë e humbur në sytë e partnerëve ndërkombëtarë dhe të tregjeve financiare, çka solli si rezultat edhe uljen e kostos së financimit të borxhit publik.

I mbështetur nga kapitalistët e mëdhenj dhe një pjesë e elektoratit katolik, si edhe i nxitur nga jo pak partnerë ndërkombëtarë, Monti vendosi në çastin e fundit të ngjitet në politikë, duke shpallur në fund të 2012-ës angazhimin e tij personal në krye të një koalicioni forcash të qendrës, ku bëjnë pjesë edhe partitë UDC dhe FLI të drejtuara nga dy politikanë të njohur e me përvojë si Kazini dhe Fini.

Koalicioni i drejtuar prej tij, i penalizuar nga koha e shkurtër në dispozicion të fushatës elektorale, mungesa e përvojës së vetë Montit në arenën politike dhe irritimi popullor ndaj masave shtrënguese ekonomike të qeverisë së tij, nuk ka gjasa të fitojë. Por, në rast se PD-ja nuk do të jetë në gjendje të fitojë e vetme një numër të mjaftueshëm senatorësh, aleanca me Montin do të jetë e vetmja rrugë për krijimin e një qeverie të qëndrueshme.

Ndërkaq, performanca e dobët e Montit, e lidhur me pasigurinë e rezultateve në senat, kanë alarmuar ditët e fundit të fushatës eksponentët e lartë të Partise Demokratike, që i tremben përvijimit në horizont të skenarit të pamundësisë së krijimit të qeverisë së re.

Frika e tyre ka një emër konkret. Ajo quhet “Lëvizja Pesë Yjet”, e ideuar dhe kryesuar nga showman-i gjenovez Beppe Grillo. Aktor i njohur komik i skenës dhe ekranit, Grillo, njihet prej kohësh në Itali për satirën e fortë politike dhe qëndrimin e rreptë kundër abuzimeve të politikës dhe financës në dëm të interesit publik. Blogu i tij në internet renditet ndër sitet më të fuqishme dhe më të vizituara të rrjetit. Në 2010-ën ai themeloi “Lëvizjen e Pesë Yjeve”, që u shndërrua shpejt në pikë referimi për shumë italianë të zhgënjyer dhe të zemëruar me partitë tradicionale. Sipas analistëve, lëvizja e Grillos mund të fitojë diku mes 15- 20% të votave, duke u shndërruar kështu në një prej forcave kryesore politike në vend. Askush ama nuk e di me saktësi sesi do të sillet Grillo në parlament, a do ti qëndrojë ai besnik parrullave të fushatës elektorale për rrëzimin e sistemit, a do të arrijë ti mbajë “të rreshtuara” “trupat” e tij në parlament.      

Në këtë kontekst, aleanca mes të majtës dhe Montit është aktualisht skenari më i mundshëm paszgjedhor në Itali. Ajo mbetet gjithashtu edhe ndër zgjidhjet më të preferuara nga shumëkush që shikon tek dyshja Bersani – Monti shpresën e vetme për të kryer më në fund reformat e shumëpritura, që do t'i rikthenin Italisë kompetivitetin dhe rritjen e munguar ekonomike.

Info & Kontakte

QENDRA E KULTURES SHQIPTARE

Kjo adresë emaili po mbrohet nga spambotet. Të duhet aktivizimi i JavaScript për me e pa.

 

Harta