Shtyp

Thesaret e Trashegimise Shqiptare ekspozite ne Torino

Pas paraqitjes në “Vittorialen” e Romës, ekspozita “Thesaret e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare”, e organizuar me rastin e njëqindvjetorit të pavarësisë nga Ministria e Jashtme dhe ajo e Kulturës e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ambasadën shqiptare në Romë dhe ministritë homologe të vendit fqinj, ka udhëtuar drejt Torinos ku do të shfaqet duke filluar nga data 24 Janar e këtij viti.

Në ceremoninë e inaugurimit, drejtuar nga gazetari i ATSH-së në Itali z. Benko Gjata, përkrah përfaqësuesve të lartë të institucioneve diplomatike dhe kulturore të Shqipërisë, ndër të cilët Ambasadori shqiptar në Itali z. Llesh Kola dhe drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, z. Apollon Baçe morën pjesë edhe personalitete të shquara të shtetit dhe shoqërisë italjane, ndër të cilët kryetari i bashkisë së Torinos z. Piero Fasino dhe ish-kryeministri dhe ministri i jashëtm italjan Masimo Dalema.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit, një moment i veçantë ju kushtua vlerësimit të ambasadorit Kola me medaljen “Stendardo della Città” nga ana e Bashkisë së Torinos, në shenjë mirënjohjeje dhe falenderimi për bashkëpunimin e ngushtë dhe frytdhënës gjatë shtatë viteve të mandatit të tij në krye të Ambasadës Shqiptare. Medalja ju dorëzua ambasadorit Kola në prani të përfaqësuesve të lartë të të dy vendeve dhe të publikut të shumtë, nga kryetari i bashkisë së Torinos Piero Fasino. 

Në fjalën e tij, ambasadori Kola falenderoi qeverinë italjane dhe bashkinë e Torinos për bashkëpunimin e vyer dhe kujtoi punën e madhe të qeverisë shqiptare në mbështetje të realizimit të ekspozitës, që është e para e llojit të saj në Itali. Vlerat e trashëgimisë sonë historike dhe kulturore, u shpreh ai, janë të lidhura ngushtë me kulturën europjane dhe njohja e tyre nga ana e publikut europjan ndihmon dhe favorizon proçesin e integrimit të plotë në strukturat e B.E.-së.

Nga ana e tyre, Fasino dhe Dalema shprehën vlerësimin për domethënien dhe vlerat e larta të objekteve të trashëgimisë kulturore shqiptare të paraqitura dhe bindjen se ekspozita do ti shërbejë njohjes më të mirë reciproke mes italjanëve dhe shqiptarëve, si edhe nxitjes së turizmit kulturor drejt vendit tonë.

“Kjo veprimtari i shërben qytetarëve të Torinos për të njohur më mirë historinë dhe trashëgiminë e vyer kulturore shqiptare,” – u shpreh kryetari Fasino, - “dhe njëkohësisht lidhjet e ngushta të saj me kulturën dhe qytetërimin italjan.” Ekspozita, vijoi ai, është gjithshatu një moment i vecantë edhe për mijëra shqiptarët që jetojnë në Torino, të cilët do të kenë kështu mundësinë, në qytetin e ri ku kanë zgjedhur të jetojnë, të gjejnë të pasqyruar kulturën, qytetërimin dhe identitetin e tyre të origjinës.

Ndërsa ish-kryeministri dhe ministri i jashtëm i Italisë Masimo Dalema kujtoi për të pranishmit bukuritë e pejsazhit bregdetar të Shqipërisë, të cilat ai vetë, i apasionuar pas sportit të velizmit, ka patur rastin së fundmi ti zbulojë nga deti. “Edhe përtej turizmit,” – vijoi ai “unë mendoj se lidhjet që janë krijuar gjatë viteve mes dy vendeve tona janë një vlerë e madhe, faktor sigurie dhe bashkëjetese.” Dalema pohoi gjithashtu se proçesi i zgjerimit të Europës është i paplotë, përsa kohë Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor nuk janë integruar ende dhe shprehu bindjen se mbështetja italjane në favor të integrimit nuk do ti mungojë kurrë Shqipërisë.  

Në Torino, 150 thesaret shqiptare janë paraqitur në mjediset sugjestive të Muzeut të Artit Antik në Palazzo Madama, në qendër të qytetit ku do të mbesin të ekspozuara deri në datën 7 Prill të këtij viti. Në tërësi ekspozita i ofron publikut italjan një udhëtim emocionues në kohë dhe hapësirë, që nis në epokën parahistorike dhe përfundon në mesjetën e vonë. Objektet e ekspozuara përbëjnë një përmbledhje të rrallë, ku përfshihen disa prej veprave më të njohura e më të rëndësishme të trashëgimisë sonë historike dhe kulturore, ndër të cilat “Koka e Apolonit”, e njohur për vite me rradhë si “Dea e Butrintit”, “Epitafi i Gllavenicës” dhe një përzgjedhje e pikturave ikonografike të mjeshtrit të madh shqiptar, Onufrit. Sipas kuratorit të ekspozitës, z. Baçe, është hera e parë që një numër i tillë objektesh me rëndësi dhe vlerë të jashtëzakonshme paraqiten jashtë territorit të Shqipërisë.  

Info & Kontakte

QENDRA E KULTURES SHQIPTARE

Kjo adresë emaili po mbrohet nga spambotet. Të duhet aktivizimi i JavaScript për me e pa.

 

Harta