Shtyp

Pavaresia - festime edhe ne diaspore

Njëqind vjetori i Pavarësisë u prit me veprimtari dhe festime edhe nga diaspora shqiptare në veriun e Italisë. Qindra bashkëatdhetarë, por edhe shumë qytetarë italjanë morën pjesë në eventet e organizuara nga Qendra e Kulturës Shqiptare në dy kryeqendrat e veriut, Milano dhe Torino, gjatë dy javëve të fundit të muajit Nëntor. Programi i pasur përmbante shfaqje filmash të kinematografisë shqiptare, koncerte dhe konferenca, të gjitha veprimtari kushtuar përvjetorit të rëndësishëm të shpalljes së pavarësisë.

Cikli i takimeve u çel në qytetin e Milanos me një mbrëmje poetike kushtuar veprës së autorit të madh arbëresh Jeronim De Rada, që u zhvillua në mjediset mbresëlënëse të Kështjellës Sforceske në qendër të qytetit. Gjatë mbrëmjes, leximi i pjesëve të zgjedhura nga “Këngët e Milosaos” të De Radës u shoqërua nga muzika e kompozitorit Pjetër Gaci, e ekzekutuar live nga artistët Lorenc Stajka (klarinetë) dhe Ledina Çobani (flaut).  

Në qendër të veprimtarive për festimin e njëqind vjetorit të pavarësisë ishte shfaqja, për herë të parë në Itali, e versionit të restauruar të filmit “Nëntori i Dytë”. Filmi u paraqit në Torino dhe Milano në dy veprimtari ku morën pjesë spektatorë të shumtë, shqiptarë dhe italjanë, të interesuar të njiheshin nga afër me historinë e shpalljes së pavarësisë dhe ngjarjet që çuan në lindjen e shtetit shqiptar. Ndër të pranishmit ra në sy edhe pjesëmarrja e dendur e të rinjve shqiptarë, fëmijë të emigrantëve të vendosur në Torino gjatë këtyre njëzet viteve të fundit, për të cilët filmi dhe tematika e trajtuar përbënin një risi.

Në Torino, shfaqja e filmit u parapri nga një takim me prof. Guido Franzinetin, historian, pedagog i Universitetit të Piemontit dhe gazetarin Benko Gjata, kushtuar kontekstit historik të shpalljes së pavarësisë

Veprimtaritë festive u mbyllën të Djelën, 25 Nëntor me mbrëmjen e madhe galà që u organizua në mjediset e Palazzo Pralormo-s në Torino, me pjesëmarrjen e rreth 200 të ftuarve që ju përgjigjën ftesës së Qendrës së Kulturës Shqiptare për të festuar së bashkë përvjetorin e rëndësishëm të shpalljes së pavarësisë. Në këtë veprimtari morën pjesë edhe përfaqësues të lartë të institucioneve italjane, ndër të cilët deputetët Marco Calgaro dhe Cristiano Bussola, që përshëndetën të pranishmit në emër të parlamentit italjan dhe të Këshillit Rajonal të Piemontit. Mbrëmja festive u çel me programin muzikor “Homazh për flamurin” me pjesëmarrjen e artisteve Tatjana Kora (soprano), Lindita Kopliku (piano) dhe Diana Subashi (violinë). Të pranishmit patën kënaqësinë të ndiqnin gjithashtu një program të zgjedhur me numra cirku, të ekzekutuar nga mjeshtri Fatos Alla dhe akrobatja e re dhe e talentuar Anjeza Ruci.  

Info & Kontakte

QENDRA E KULTURES SHQIPTARE

Kjo adresë emaili po mbrohet nga spambotet. Të duhet aktivizimi i JavaScript për me e pa.

 

Harta