Shtyp

Koncerti i Krishtlindjeve me Korin "Prenk Jakova"

16 Dhjetor 2008 u zhvillua në Torino koncerti “Tingujt e Krishtlindjeve” i Korit Polifonik "Prenk Jakova" të qytetit të Shkodrës. Për rreth një orë e gjysmë, disa qindra artdashës torinezë, italjanë dhe shqiptarë ndoqën me kënaqësi dhe interes performancën e artistëve shkodranë. Maestro Gjon Shllaku, artistët Rozela Gjylbegu, Aleksandër Tuka, Enrik Cela, Ylber Tahiri, Elnaida Dani dhe i gjithë kori "Prenk Jakova" sollën në skenë pjesët më të mira të muzikës polifonike perëndimore kushtuar temës së Krishtlindjeve, si edhe një repertor të pasur me këngë të traditës popullore Shqiptare dhe ballkanike. 

"Ky koncert ishte për mua një kënaqësi dhe një emocion i vecantë" u shpreh drejtuesi i korit, maestro Gjon Shllaku. "Performancat e suksesshme përballë publikut perëndimor tregojnë se Shqipëria dhe artistët e saj kanë se cfarë vlerash të eksportojnë jashtë kufijve të vendit. Falenderoj organizatorët e kësaj veprimtarie dhe në vecanti Qendrën e Kulturës Shqiptare për mundësinë që na dha të performonim përballë publikut torinez."

Koncerti "Tingujt e Krishtlindjeve" u mbështet zyrtarisht edhe nga Bashkia e Qytetit të Torinos. Për Anna Ferrero-n, drejtoreshë e departamentit të kulturës prane këtij institucioni "shfaqja e kësaj mbrëmjeje ishte një dhuratë e bukur që bashkësia shqiptare i bëri qytetarëve të Torinos. Vendi juaj ka vlera të mrekullueshme kulturore e artistike dhe ne jemi me fat që kemi mundësinë të njihemi e ti shijojmë ato. Këto veprimtari dëshmojnë gjithashtu se Shqiptarët në Torino janë tashmë të integruar mjaft mirë dhe kanë nisur të kontribuojnë seriozisht edhe në pasurimin e jetës kulturore të qytetit tonë" - vijoi ajo.

Mbrëmja galà u organizua nga Qëndra e Kulturës Shqiptare, në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në Milano, Zyrën e Përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë se Tiranes ne Torino dhe me organizatën ACLI. Ajo synonte gjithashtu edhe sensibilizimin e opinionit dhe mbledhjen e fondeve në mbështetje të projektit "Albania" të organizatës humanitare ACLI që vepron tashmë prej disa vitesh në qarkun e Shkodrës.

Mbrëmja galà shoqërohej edhe nga ekspozita fotografike "Shqipëria Turistike 2008" e realizuar në kuadër të  projektit "Të rinjtë e rrugës Egnatia" që synon promovimin e Shqipërise si destinacion turistik.

Info & Kontakte

QENDRA E KULTURES SHQIPTARE

Kjo adresë emaili po mbrohet nga spambotet. Të duhet aktivizimi i JavaScript për me e pa.

 

Harta