Shtyp

Qëndra e Kulturës Shqiptare

Proçesi i emigracionit drejt vendeve të zhvilluara perëndimore, që ka nisur në fillim të viteve 90-të ka çuar deri më sot drejt Italisë fqinje mbi 500 mijë qytetarë shqiptarë. Rreth një e treta e tyre jetojnë dhe punojnë në rajonet veriperëndimore të Lombardisë dhe Piemontit, që përfaqësojnë së bashku një prej zonave më të zhvilluara të Europës. Pikërisht në këtë territor vepron tashmë prej disa vitesh edhe Qendra e Kulturës Shqiptare. Ajo është themeluar nga një grup intelektualësh, artistësh, sipërmarrësish dhe aktivistësh të shoqërisë civile me qëllim kryesor promovimin e kulturës dhe të imazhit të Shqipërisë.

Qendra mbështet gjithashtu proçesin e integrimit të bashkësisë shqiptare, nxit pjesëmarrjen aktive të qytetarëve shqiptarë në jetën kulturore, sociale, ekonomike dhe politike të Italisë dhe bën përpjekje për zhvillimin dhe konsolidimin e marrdhënieve të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Veprimtaria e dendur dhe cilësore ka bërë që Qëndra e Kulturës Shqiptare të jetë sot një prej realiteteve më të njohura e më të spikatura të bashkësisë shqiptare në Itali. Ajo është shndërruar tashmë në një pikë referimi si për qytetarët shqiptarë, ashtu edhe për organizatat dhe institucionet e territoreve ku vepron.

Veprimtaria

Në kuadër të veprimtarive për promovimin e kulturës shqiptare, me ftesë të QKSH-së gjatë këtyre viteve e kanë vizituar Italinë shumë figura të shquara të artit dhe të kulturës.

Kështu, publiku artdashës i Italisë së Veriut ka njohur dhe vlerësuar ndër vite veprat më të mira të regjizorëve Dhimitër Anagnosti, Bujar Alimani, Roland Sejko e Gjergj Xhuvani dhe artistëve Roza Anagnosti,Elvira Diamanti, Luiza Xhuvani e Nik Xhelilaj, të cilët kanë marrë pjesë në paraqitjen e tyre në qytetet kryesore të rajonit.   

Përmes veprimtarive të Qendrës, lexuesit shqiptarë dhe italjanë kanë mundur të njohin nga afër disa nga autorët më të suksesshëm shqiptarë të viteve të fundit, të cilët kanë botuar vepra edhe në gjuhën italjane, ndër të cilët Ylljet Aliçka, Rando Devole e Visar Zhiti, por edhe Elvira Dones, Anilda Ibrahimi e Ornela Vorpsi, autore shqiptare shumë të vlerësuara nga publiku dhe kritika.

Ndër veprimtaritë e QKSH-së vlejnë të përmenden edhe koncertet e organizuara në disa prej skenave më prestigjioze të muzikës klasike, si Koncerti i Krishtlindjeve me korin Prenk Jakova, koncertet me rastin e festave kombëtare, të duos virtuoze Suela Mullaj (violinë) & Massimo Palumbo (piano) dhe të pianistes së talentuar shqiptare Elda Laro.

Në kuadër të nismave për nxitjen e zhvillimit dhe konsolidimit të marrdhënieve të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, një vend të veçantë në veprimtaritë e Qendrës ka patur edhe organizimi, në partneritet me institucionet vendore italjane, i vizitave të përfaqësuesve të lartë të shtetit shqiptar. Kujtojmë këtu vizitën e Presidentit të Republikës Bamir Topi në Torino, atë të Kryetares së Parlamentit Shqiptar Jozefina Topalli në Milano, vizitën e zv. Ministres së Kulturës Suzana Turku po në Torino, etj.

Në veprimtarinë e saj QKSH angazhon vazhdimisht edhe shumë artistë të rinj e të talentuar shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali.

 

Info & Kontakte

QENDRA E KULTURES SHQIPTARE

Kjo adresë emaili po mbrohet nga spambotet. Të duhet aktivizimi i JavaScript për me e pa.

 

Harta